21:32 / E Martë, 29 Shtator 2020 / C E

Ishte objektivi kryesor i Milanit, mbrojtësi francez prezantohet te Leicester

Mbrojtësi 19-vjeçar francez Wesley Fofana ishte objektivi i Milanit për mbrojtjen, por ndërkohë që kuqezinjtë provonin të ulnin pretendimet e Saint Etienne, ishin anglezët e Leicester që u futën në garë dhe arritën të rrëmbejnë futbollistin.

“Dhelprat” u treguan të gatshëm të paguajnë 40 milionë euro për kartonin e njërit prej futbollistëve më të talentuar të kampionatit francez dhe e prezantuan zyrtarisht mbrëmjen e sotme mbrojtësin.

Wesley Fofana ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me Leicesterin, prej të cilës do të përfitojë një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa pritet që nesër të vihet në dispozicion të trajnerit Brendan Rodgers.

Mbrojtësi që në dhjetor do të mbushë 20 vjeç, ka debutuar në kampionatin francez në sezonin 2018-2019, ndërsa vitin që lamë pas ka qenë titullar në plot 24 ndeshje të Saint Etienne dhe ka arritur të shënojë edhe dy gola.