Ishte raportuar i zhdukur, gjendet pa shenja jete i moshuari nga Prishtina

Është gjetur pa shenja jete personi i raportuar i zhdukur në Prishtinë, raporton IndeksOnline.
Lajmin e ka konfirmuar Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim.
Viktima është Jashar Jashari.
Në njoftimin e shoqatës thuhet se pas kërkimeve intensive, është gjetur pa shenja jete personi Jashar Jashari, i cili ishte raportuar i zhdukur në lagjen Velania, Komuna e Prishtinës.
Trupi i pajetë është lokalizuar nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Jashari dhe falënderon të gjitha ekipet e angazhuara për profesionalizmin dhe përkushtimin në këtë operacion”, thuhet në njoftim. /IndeksOnline/