Ismaili: Çeku e Rama janë të patokëzuar me problemet e Prishtinës

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka kritikuar kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Përparim Rama, për premtimet që ky i fundit ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Ismaili tha se premtimet e Ramës nuk janë të bazuara në nevojat konkrete të qytetarëve të Prishtinës, duke theksuar se ato janë të largëta nga realiteti.
“Ekziston një dallim jashtëzakonisht i madh në mes meje dhe Zotëri Ramës, platforma është e qartë për qytetarët, dallimi në këto dy platforma është në mes të problemeve të menjëhershme, të cilat na janë grumbulluar me vite. Pra, për 25 vite ne nuk marrim shërbime, për 25 vite ne përballemi me mbeturinat dhe për 25 vite e ballafaqohemi me qentë endacakë”.
“Kushdo që ka thënë para 15 viteve se do të vijmë në vitin 2025 në këtë studio e ende flasim për probleme bazike, në atë kohë do të ishte tallje për të gjithë ne. Realiteti tregon ndryshe. Realiteti tregon që zotëri Rama po fokusohet në tema tepër të mëdha, në tema që nuk janë reale, nuk bazohen në realitetin e jetës sonë”, u shpreh Ismaili.
Kritikat nuk i la me kaq, Ismaili pati të njëjtin vlerësim si për Ramën edhe ndaj Hajrulla Çekut të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kam të njëjtën kritikë edhe me zotëri Çekun, po e flas drejt, edhe ai e paraqiti një vizion në 2035-n. Unë e kam një problem me të dy si kandidatë, konceptualisht. Ata nuk mund të jenë kandidatë largpamës, por mund të jenë kandidatë të patokëzuar me problemet e Prishtinës”.
“Sepse problemet e Prishtinës janë dhe i sheh del në Kodër të Trimave, mungon çdo infrastrukturë, del në Bregun e Diellit dhe sheh se lagjja është vjetëruar dhe nuk ka asnjë lloj mirëmbajtjeje, del në Dardani, ajo pjesa e Kurrizit është jashtëzakonisht e keqe”, u shpreh Ismaili./Indeksonline/