Ismaili i dorëzon Klinikës së Gastrologjisë aparaturën e munguar prej tri vitesh
Klinika e Gastrologjisë ka tri vite që ka funksionuar pa gastroskop dhe kolonoskop për kontrollimin e zorrëve dhe lukthit.
Si pasojë, të gjithë qytetarët që kanë pasur nevojë për këto shërbime, janë drejtuar për në sektorin privat duke paguar mbi 100 euro.
Por, nga sot, ata nuk do të kenë nevojë ta bëjnë më këtë pasi që Klinikës së Gastrologjisë i është dorëzuar aparaturë moderne nga ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, për të kryer këto shërbime. Këtë e ka bërë të ditur vet ministri Ismaili përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
“Ka tri vjet që Klinika e Gastrologjisë është në mungesë të një video-gastroskopi dhe një video-kolonoskopi për kontrollimin e zorrëve dhe lukthit. Si pasojë, të gjithë qytetarët tanë që kanë pasur nevojë për trajtime të tilla, janë orientuar në sektorin privat, duke shpenzuar mijëra euro. Sot, ne ia dorëzuam një aparaturë të re dhe moderne kësaj Klinike në mënyrë që qytetarët tanë të gjejnë trajtim aty.
Me pajisjet e reja që do t’i blejmë edhe për klinikat tjera, do t’ua mundësojmë profesionistëve shëndetësorë që të përmbushin potencialin e tyre dhe në të njëjtën kohë të ruajmë xhepin e qytetarëve. Kështu, do të rritim cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, si dhe do të shtojmë dinamikën e punës. #PërShëndetësinëQëDuam”, ka shkruar ministri Ismaili në Facebook.

