75 Mall Live Search
11:27 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ismaili: Ordinanca ku e ka kryer abortin e mitura nga Drenasi nuk i ka plotësuar kushtet

Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili sot ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me Licencimin e institucioneve private shëndetësore.

Lidhur me këtë temë, Ismaili ka thënë se gjinekologu Fehmi Ahmeti që ka kryer abortin e të miturës nga Drenasi nuk ka pasur licencë në kohën e kryerjes së abortit.  

“Për abort kërkohen disa kushte, ordinanca “Kestrina”, nuk i ka plotësu ato kushte, më 15 janar kur e ka kryer e mitura abortin, përveç licencimit nuk ka pasur as kushtet për abort. Ne nuk kemi pasur informata nëse ka licencë apo jo, Ahmeti nuk ka ardhur me kërkuar licencë. Vendimi për hetimin e Odës së Mjekëve, ka filluar dhe janë njoftuar. Aty ka pasur shumë shkelje ligjore, etike, ku nuk është regjistruar as rasti i të miturës. Inspektorati ka punuar një kohë të gjatë, janë 10 inspektorë shëndetësorë, në vitin e ardhshëm kemi planifikuar që këtë numër ta dyfishojmë”, tha ai.

Tutje, ai tha se rasti i të miturës ka prekur ndërgjegjen e të gjithëve. Përpos dhimbjes, ai tha se do të dalin me politika që e mitura tjetër mos të përjetojë të njëjtën gjë.

“Në vendin tonë ekziston një numër i madh i institucioneve private. Nga informatat e fundit sektori private 1606 janë të licencuara. Veprimtaria private është ligjërisht e barabartë me ato publike. I tërë procesi i licencimit paraqet një varg procedurash. Obligimi për rilicencim nuk bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, por mbi atë që ka kërkuar licencën. Barra e përgjegjësisë duhet të jetë dy vjet më herët për licencim”, tha ai.