Ismaili: PDK në Prishtinë është më e mobilizuar se kurrë më parë!
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka bërë të ditur se dega e kësaj partie në Prishtinë është rritur shumë dhe ka shënuar rezultate të mrekullueshme.
Në një postim në Facebook, Ismaili ka shkruar se për gjysmë viti dega e PDK-së në Prishtinë ka formuar 75 nëndegë, më së shumti ndonjëherë, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, strukturat e dala nga procesi zgjedhor i PDK-së do të jenë të gatshme ta etabolojnë Dekadën e Re, si platforma e vetme për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Më poshtë postimi i plotë i Ismailit:
Gjysmë viti punë e palodhshme e PDK-së në Prishtinë ka dhënë rezultate të mrekullueshme.
Gjatë kësaj periudhe Dega e PDK-së në Prishtinë arriti të rikonsolidojë dhe formojë plot 75 nëndegë, më së shumti ndonjëherë në Prishtinë.
Qindra takime me mijëra pjesëmarrës janë dëshmi që tregojnë se PDK-ja tani mbulon gjithë territorin e Prishtinës dhe se është më e mobilizuar se kurrë më parë.
Mirënjohje e veçantë për angazhimin vetëmohues të secilit anëtar e aktivist!
Nesër në orën 10 e 30 në Emerald Hotel do të mbahet edhe Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së në Prishtinë ku do të përmbyllet zgjedhja e strukturave të reja përmes zgjedhjes së udhëheqësisë së re dhe Kryetarit të ri.
Procesi i nesërm do të jetë vazhdimësi e punës së madhe që ka filluar muaj më parë dhe strukturat e dala nga ky proces demokratik dhe transparent do të jenë të gatshme ta etablojnë Dekadën e Re si platformën e vetme për zgjidhjen e problemeve të qytetit tonë. /Indeksonline/











