Ismaili: Plani i Qeverisë ka lënë anash 350 mijë nxënës në pandemi

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar nga qytetarët që ta lexojnë programin qeverisës duke thënë se ata, pavarësisht përkatësisë politike, duhet ta lexojnë kontratën që qeveria e ka me ta.
Ai e ka kritikuar programin që Qeveria Kurti 2 e ka shpalosur para disa ditëve duke thënë se nuk është konkret dhe nuk prezanton kërkesat e qytetarëve.
“Kërkesa ime më e rëndësishme sot, në këtë diskutim për programin qeverisës, iu drejtohet qytetarëve. Ju lutem, lexojeni programin. Sepse, ky program është kontrata që kjo qeveri e ka me ju. Duhet që të lexohet nga të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive politike”.
Ismaili deklaroi se Kosova e këtij programi qeverisës është e plogësht dhe e pashpresë duke shtuar se kjo nuk është Kosova që e meritojmë dhe e dëshirojmë.
Ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe se po e injoron arsimin në pandemi duke thënë se në tërë botën kjo është një ndër çështjet më brengosëse.
“Humbjet e mëdha që janë duke ndodhur në shkollimin e gjeneratave kanë bërë që Sekretari i Kombeve të Bashkuara ta quajë si “katastrofë e brezave”. Kurse, Qeveria Kurti e injoron komplet këtë fakt dhe na thotë se me këtë problem do të merret pas pandemisë. Një ndër çështjet me të rëndësishme në botë, dhe rrjedhimisht edhe te ne, atë të arsimit kjo Qeveri e trajton me një rresht duke thënë që s’do të angazhohen fare për atë punë”.
Deputeti i PDK-së ka deklaruar se ata që po pësojnë nga kjo pandemi janë fëmijët e familjeve të paprivilegjuara sepse, sipas tij, prindërit e tyre nuk kanë pasë mundësi t’ia pagujanë orët shtesë.
“Është pikërisht e kundërta e asaj që pohuat ju, sepse Kurti sot tha se fëmijët duhet të shkollohen pa marrë parasysh sa fiton prindi. Po më vjen keq Kurti sot, në pandemi, të gjitha hulumtimet tregojnë se fëmijët janë duke mësuar aq sa kanë pasur mundësi prindërit e tyre t’iu shtojnë ose të ju marrin orë shtesë. Fëmijët që kanë pësuar më së shumti dhe që do të pësojnë në të ardhmen janë ata fëmijë që prindërit e tyre s’kanë pasur mundësi të mjaftueshmne për të mbështetur kurset apo orët shtesë. Plani i Qeverisë ka lënë anash 350 mijë nxënës në pandemi”.
“Përmirësojeni këtë gabim, z. Kurti. Sepse, kokëfortësia juaj dhe mosprofesionalizmi i Ministres Nagavci po i dënojnë qindra mijëra fëmijë që sot s’kanë të drejtë vote dhe as nuk kanë zë”.