12:04 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ismaili: Protokollet mjekësore hap drejt ngritjes së cilësisë  në shëndetësi

Klinika Obstetrike Gjinekologjike e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga sot është bërë me udhërrëfyes  klinik nacional në Kosovë, të aprovuar edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Me rastin e dorëzimit të protokolleve të para  mjekësore të miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë,   e që do të përdoren në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Z. Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës,  tha se nevoja për protokolle  klinike mjekësore, është njëra nga çështje prioritare në shëndetësi,  andaj Ministria ka përcaktuar bazën ligjore për të  zhvilluar këto protokolle.

Ministri Ismaili, mes tjerash tha se përmes këtyre protokolleve  po bëhet punë e mirë në drejtim të përmirësimit  të  shëndetit të  nënës dhe fëmijëve.  Sipas tij,  ky është vetëm hapi i parë  dhe jo i fundit në këtë drejtim, duke shtuar se përmes  protokolleve klinike do të ngritët cilësia në shëndetësi.

Ai premtoj përkrahje të vazhdueshme për  profesionistët shëndetësorë me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore.

Në anën tjetër, Prof.dr. Sueda Hoxha,  tha se është lajm mirë se protokollet mjekësore janë mundësi e mirë për të shtuar cilësinë.

Sipas saj, janë tre protokolle, e para ka të bënë me skriningun e  kancerit të qafës së mitrës,  ku përmes tyre do të mundësohet që kjo të diagnostikohet sa më herët tek gratë dhe nënat tona, të cilat në shumë raste  lajmërohen në stade të larta.

Me rëndësi të veçantë  është edhe  protokolli për hemorragji pas lindjes, e poashtu edhe  protokolli mjekësore për hipertension tek gratë shtatzëna.