75 Mall Live Search
21:51 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / BA

Ismaili-Ramës: Unaza e Jashtme premtim i parealizueshëm, qytetarët ende vuajnë për pritore autobusësh

Në debatin e mbrëmjes së sotme në emisionin “Rubikon”, kandidati i PDK-së për Komunën e Prishtinës, Uran Ismaili, ka kritikuar kundërkandidatin e tij nga LDK-ja dhe njëkohësisht kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, për qasjen e tij ndaj projekteve zhvillimore në kryeqytet.

Ismaili tha se Rama po flet për projekte madhore, si Unaza e Jashtme prej 84 milionë eurosh, ndërkohë që qytetarët ende përballen me mungesë të shërbimeve bazë.

“Këtu është dallimi mes qasjes së Ramës dhe asaj që përfaqësoj unë. Ai foli për shumë projekte, por asnjë nuk është kryer. Unaza e Jashtme është një projekt për të cilin tha se do të ketë grant, por realiteti është që ende po merren me lagjet e Prishtinës, njerëzit ende vuajnë për pritore autobusësh”, tha Ismajli, në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai shtoi se projekte të tilla përdoren vetëm për qëllime elektorale, ndërkohë që realiteti në terren është krejt tjetër.

“Unaza e Jashtme është pikërisht nga ato projekte që i përdorim si ide elektorale, por në realitet nuk realizohen. Nuk është se më mungon informacioni për atë projekt, në parim, mund të jetë e nevojshme, por nuk është e realizueshme në vitet e ardhshme. Ndërkohë, qyteti po mbetet prapa në shumë prej atributeve bazike që i takojnë një kryeqyteti”, tha Ismaili.