Ismajli takohet me ekipet e Gjilanit dhe familjet e shquara të Rexhep Malës e Nuhi Berishës

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli, është takuar me dy ekipet e jashtëzakonshme gjilanase dh jo vetëm, FC Dritën dhe SC Gjilanin.
Gjatë takimeve me lojtarët dhe udhëheqësit e ekipeve, Arbri u njoftua nga afër me shqetësimet që kanë këto dy ekipe, nevojën për finalizimin e ndërtimit të stadiumit të qytetit dhe përmirësimin e infrastrukturës së sportit, shkruan IndeksOnline.
“Në qeverisjen tonë të ardhshme lokale, FC Drita do ta ketë përkrahjen e plotë në çdo aspekt, në infrastrukturë, në përkrahje institucionale dhe në përmirësimin e kushteve për futbollistët dhe klubin në tërësi” u shpreh Ismajli gjatë takimit me “Intelektualët”.
Nga ana tjetër, në sytë e Arbrit, SC Gjilani është simboli i krenarisë qytetare.
“Ju jeni zemra që rreh më fort në çdo ndeshje, zëri që nuk ndalet kurrë, dhe forca që e ngrit SC Gjilanin në majat e krenarisë. Pa ju, kjo histori s’do të kishte të njëjtin kuptim” tha ai për “Skifterat”.
Ismajli u takua po ashtu me familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, kontributin e të cilëve e çmoi lart në historinë e Kosovës për liri dhe qëndresë kombëtare.
“Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha ishin njerëz të jashtëzakonshëm, aktivistë të palodhur dhe simbol i sakrificës për të ardhmen e vendit tonë.
Ata u angazhuan për lirinë, për vetëdijen kombëtare dhe nuk u dorëzuan kurrë para dhunës dhe shtypjes.
Në emrin tim personal, dua t’i falënderoj nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedat e sinqerta familjet heroike Malaj dhe Berisha” deklaroi Ismajli.