10:00 / E Enjte, 22 Gusht 2019 / indeksADMonline

Beqiri: Sot shpërndahet Kuvendi, VV-ja të mos vërë kushte, PDK-ja e ka bllok nga ne!

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK-ja është shumë e vendosur që sot të ndodhë shpërndarja e Kuvendit.

Beqiri ka folur edhe për koalicionet e mundshme, afrimin me Vetëvendosjen dhe gjasat që të shkojë me PDK-në.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Jemi për shpërndarjen e Kuvendit. Ne mendojmë që nuk ka funksionuar asgjë, falë koalicionit qeverisës. Mund të ketë pasur gjithçka, por jo qeverisje të mirë. Besoj se janë numrat. Jemi të interesuar të votohen marrëveshjet që janë në interes të vendit, para se të shkojmë në shpërndarje. Është koha e fundit që të shkohet në zgjedhje.

Për dy vjet qeverisje kemi parë sjellje, veprime e vendime skandaloze. Krijimin e ushtrisë dhe disa vendime që po thirret qeveria në to, janë bërë nga të gjithë ne. Edhe demarkacioni është votu këtë mandat, por është votuar edhe nga opozita. Mbi të gjitha këtë mandat është shpenzuar pa masë paraja publike.

Qëndrimi i LDK-së është që të mos ketë koaliacion parazgjedhor ose paszgjedhor me PDK-në. Për të tjerët jemi të hapur. Por, asnjëri nga subjektet nuk duhet të vëjë kushte. Qëndrimi i qartë i LDK-së është të na takojë ne posti i kryeministrit. PDK duhet të shkojë në opozitë sepse janë lodhë e janë stërlodhë” ka thënë Ismet Beqiri./Indeksonline/