20:33 / E Shtunë, 13 Mars 2021 / Blerim

Ismet Munishi si Kloppi, te Gjilani me dhëmbë të rinj

Ismet Munishi, i njohur si ‘baba’ dje gjatë ditës u ulë në tavolinë me presidentin e klubit të Gjilanit, Florim Zuka dhe arriti marrëveshje për ta udhëhequr klubin nga Anamorava.

Munishi që së fundmi ishte në stolin e Ballkanit, tani do ta drejtojë ekipin e ‘Skifterëve’ për pjesën e mbetur të sezonit, shkruan IndeksOnline.

Sot gjatë prezantimit, Munishi përveç se u vesh bardhekuq, vëmendja ishte edhe te reklamimi i dhëmbëve të tij të rinj.

Në fotot e publikuara nga klubi i SC Gjilanit, te Munishi vërehet bardhësia e dhëmbëve.

Rregullim të tillë të dhëmbëve kishte bërë edhe trajneri gjerman te Liverpooli, Jurgen Klopp.

Sigurisht që fokusi nuk do të jetë vetëm te dhembet, Munishi do të ketë punë të madhe për të siguruar rezultate pozitive te skuadra jo në formë, SC Gjilani.

Gjilani në Superligë gjendet në pozitën e katër me 33 pikë. Nesër Munishi do të debutoj me ‘Skifterat’ kundër klubit nga Mitrovica, Trepça ’89. Ndeshja kjo që nis nga ora 13:00 dhe luhet në stadiumin e Gjilanit./IndeksOnline/