75 Mall Live Search
14:10 / E Shtunë, 19 Janar 2019 / indeksADMonline

Istogu tender për veshjen e skuadrës së hendbollit, u dhanë 8000 euro por s’u vesh askush!

Komuna e Istogut i ka ndarë 7928 euro për të veshur me rekuizita sportive dy skuadrat sportive të kësaj komune, atë të futbollit KF Istogun dhe klubin e vajzave të hendbollit, KH Istogu.

Sipas tenderit publik, kontrata kishte hyrë në fuqi me datë 3 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa përfundoi me 20 dhjetor.

7928 euro ishte vlera e tenderit ku specifikohej me titull, “Pajisja e klubeve të hendbollit dhe futbollit me rekuizita sportive”.

Por, një muaj pasi ka përfunduar ky tender dhe skuadrat duhej të gëzonin pajisjet sportive, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan Indeksonline.

Së paku jo te klubi i femrave të hendbollit, KH Istogu. Indeksonline ka kontaktuar trajnerin e kësaj skuadre, Faruk Shala i cili ka thënë se në adresë të skuadrës së tij nuk ka ardhur asgjë deri më tani.

“Me 10.12-tit të vitit të kaluar kemi pranuar një shkresë nga e cila na është kërkuar numri i pajisjeve për skuadrën tonë. E tëra që mund të them unë tani është se në adresë të skuadrës tonë nuk ka ardhur asgjë nga pajisjet sportive” ka thënë trajneri i KH Istogut.

Pavrësisht vlerës së lartë të tenderit, askush deri më tani nuk ka dhënë llogari se ku u “avulluan” paratë dhe pajisjet që deri më tani sportistet e Istogut duhet t’i gëzonin.

Kujtojmë që skuadra e femrave të Istogut në hendboll është ende pjesë e garave evropiane dhe në muajin shkurt do të përballet me Malagën e Spanjës./Indeksonline/