75 Mall Live Search
17:36 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / Z S

Isufaj e çon në Kushtetuese mosaprovimin nga Themelorja të masës së përkohshme lidhur me konkursin për Kryeprokuror të Shtetit

Blerim Isufaj u zgjodh Kryeprokuror i shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Akti ceremonial i nënshkrimit nga Presidenti u refuzua sa këtë post e mbante Vjosa Osmani-Sadriu, e vazhdon të refuzohet edhe nga U.D. Presidentja Albulena Haxhiu.

Kjo, pasi i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk e do atë për Kryeprokuror të Shtetit. Anipse pushtetet janë të ndara, Kurti ka ndërhyrë direkt në mosaprovimin e tij.

Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë ka nisur konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit. Isufaj ka paditur në gjykatë KPK-në, pasi sipas tij ai është Kryeprokuror i zgjedhur, dhe se konkursi është i jashtëligjshëm.

Për këtë Isufaj kërkoi masë të përkohshme nga gjykata.

Gjykata nuk ia aprovoi. Gazeta Nacionale ka mësuar se Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese lëndën e tij, në lidhje me mosaprovimin e masës së përkohshme.

Qëndrimi i KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit do të zhvillohet përmes një procedure të re, të rregullt dhe të bazuar në meritë, pasi propozimi i vitit 2022 nuk është finalizuar me dekret presidencial.

KPK ka numëruar shkeljet ligjore dhe Kushtetuese nga Presidentja e vendit, me mosemërimin e kandidatit që doli fitues në këshill, pra, Blerim Isufajt.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti me propozim të KPK-së. Po ashtu, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës përcakton përgjegjësinë e Këshillit për të propozuar Kryeprokurorin e Shtetit dhe për të siguruar zbatimin e procedurave ligjore, parimeve të meritës dhe transparencës.”

Sipas KPK-së, pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022, duke krijuar pasiguri institucionale dhe ligjore në sistemin prokurorial.

Këshilli theksoi se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe OSBE-në, kanë kërkuar vazhdimisht një proces transparent, të drejtë dhe të bazuar në meritë.

“Ambasada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se procesi i përzgjedhjes duhet të jetë objektiv, transparent dhe i bazuar në meritë, duke vënë në dukje se çdo shmangie nga këto parime dëmton besimin në institucionet e drejtësisë.” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, organizatat vendore të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për një konkurs të ri dhe për shmangie të çdo ndikimi politik në përzgjedhje.

KPK, pasi numëroi të gjitha shkeljet që u bënë nga politika me mosemërimin e Isufajt njoftoi se, nuk dëshirojnë që të krijohet një situatë ku do të dukej se po propozohen paralelisht dy kandidatë, andaj kandidaturën e 2022-ës e konsiderojnë të tërhequr.

Pra, KPK ka konsideruar të tërhequr kandidaturën e Isufajt, anipse ky i fundit nuk është tërhequr asnjëherë.