Isufi i ”revoltuar”: 70% e lojtarëve të Dritës meritonin të jenë në Formacionin e Vitit
Në ceremoninë e Laureatëve të Vitit të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, ndër të tjerash, u zgjodh edhe formacioni më i mirë i vitit në Superligën e Kosovës.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e shumë lojtarëve të Dritës që sezoni i kaluar për ta ishte përrallor, duke e fituar Superligën si dhe Superkupën e Kosovës, në një ndeshje dramatike ndaj Prishtinës në ”Fadil Vokrri”.
Në këtë formacion, trajnerët zgjedhën vetëm dy lojtarë të Dritës – Endrit Krasniqin dhe Xhevdet Shabanin, gjë e cila nga jo të gjithë u pritë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kjo për shkak se kishte edhe lojtarë tjerë të Dritës që shkëlqyen tejmase sezonin e kaluar si Fidan Gërbeshi, Drilon Musa, e disa futbollistë të tjerë, shkruan IndeksOnline.
Me këtë situatë, është shprehur i pakënaqur edhe ish-trajneri historik i Dritës, Bekim Isufi, i cili ka dhënë një deklaratë mjaft interesante në lidhje me këtë çështje.
Në një prononcim për IndeksOnline, Isufi tha Drita duhej të kishte 70% të lojtarëve në formacionin e futbollistëve më të mirë të vitit në Superligën e Kosovës në futboll, pas sezonit mbresëlënës së fundmi.
”Mendoj që 70% është dashur të jetë formacioni i Dritës në këtë përbërje, por edhe në të kaluarën kanë ndodhur gabime në formacionin e vitit”.

”Kujtojmë vitin e kaluar kur vetëm unë e kam futur Otto John në formacion. Mendoj se nganjëherë trajnerët e përziejnë formacionin e vitit kalendarik”, tha Isufi për IndeksOnline.
Tutje, Isufi ka përmendur edhe emrat e futbollistëve të Dritës që duhej të ishin pjesë e këtij formacioni ”kontravers”.
”Mendoj se në këtë formacion ka pasur vend edhe për Ardian Limanin, Fidan Gërbeshin, Liridon Lecin, Drilon Musa, Endrit Krasniqin e Bujar Shabanin”.
”Këta lojtarë e meritojnë të jenë në formacionin e vitit. Pra, Drita ka qenë klubi më i suksesshëm, si dhe ka shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, andaj ka pasur padrejtësi”, përfundoi Isufi./IndeksOnline/