75 Mall Live Search
19:04 / E Hënë, 20 Tetor 2025 / F.R

Itali: Sulmohet me gurë një autobus, vdes shoferi

Ka vdekur shoferi i një autobusi që po transportonte tifozë të një ekipi italian të basketbollit pasi u sulmuan me gurë nga tifozë të një ekipi rivalë.

Tifozët e Pistoia Basket-it po udhëtonin në autostradën pranë qytetit të Rieti-t, në verilindje të Romës, kur tifozët e SRS Sebastiani Rieti filluan të hidhnin objekte e gurë në drejtim të tyre, shkruan BBC-si.

Tifozët e Pistoia-s me qendër në Toskanë po ktheheshin nga një ndeshje midis dy ekipeve të nivelit të dytë, të cilën ekipi i tyre e kishte fituar.

Një gur i madh u përplas në xhamin e përparmë dhe goditi njërin nga dy shoferët në kokë. Raffaele Marianella, 65 vjeç, ishte ulur përpara, por nuk po ngiste në kohën e sulmit. Ai më vonë vdiq nga plagët e marra.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se sulmi ishte “një akt i papranueshëm dhe i çmendur dhune”.

Ajo shprehu ngushëllimet e saj familjes së viktimës dhe tha se ata që janë përgjegjës do të nxirren para drejtësisë.

Një hetim policor është duke u zhvilluar për të gjetur autorët.

Ministri i Sportit i Italisë, Andrea Abodi, e përshkroi sulmin si një sulm tronditës të kryer nga kriminelë që janë shndërruar në vrasës dhe që nuk mund të quhen kurrë tifozë.