22:44 / E Mërkurë, 01 Prill 2020 / indeksADMonline

Italia angazhon robotët infermierë, në luftën kundër koronavirusit

Ai nuk vesh maskë, por në këto momente të vështira është duke ndihmuar doktorët të shpëtojnë jetën e personave të prekur nga koronavirusi. Njihuni me Tomin, roboti më i ri infermier.

Tomi është një nga 6 robotët e rinj në spitalin e Circolos në Varese që po ndihmon mjekët dhe infermierët të kujdesen për pacientët e prekur nga Covid-19, në rajonin më të prekur në Itali nga kjo pandemi, atë të Lombardisë.

“Është njësoj si të kesh një infermiere tjetër, po pa patur frikë se mund të infektohet”, deklaroi doktori Francesco Dentali, që drejton terapinë intensive në këtë spital.

Roboti me përmasat e një fëmijë dhe me sy që puliten qëndron krah krevatit të pacientit me qëllim që doktorët të mund të përkujdesen për të tjerët që janë në gjendje shëndetësore më të rëndë.

Ata monitorojnë parametrat nga aparaturat në dhomë dhe ia dërgojnë ato stafit të spitalit. Robotët kanë fytyrën me prekje që i lejon pacientët të regjistrojnë mesazhe dhe t’jua dërgojnë ato doktorëve.

Dhe gjëja më e rëndësishme është se Tomi dhe ekipi i tij i teknologjisë së lartë i lejon spitalit të limitojë numrin e kontakteve direkte të doktorëve dhe infermierëve me pacientët, duke reduktuar në këtë mënyrë rrezikun e infektimit.

Deri në këto momente në Itali më shumë se 4000 punonjës të shëndetit publik janë infektuar nga virusi dhe 66 doktorë fatkeqsisht kanë humbur jetën.