75 Mall Live Search
21:36 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / S Z

Italia e gatshme ta njohë Palestinën, por me dy kushte

Protestat në Itali kanë bërë që qeveria atje të konsiderojë njohjen e shtetit të Palestinës, megjithatë jo pakushte.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, bëri të ditur se Italia do ta njihte Palestinën nëse lirohen pengjet izraelite dhe Hamasi del nga qeveria, shkruan Euronews, transmeton Dukagjini.

Meloni njoftoi partitë që formojnë qeverinë e saj do të paraqesin një mocion që kërkon njohjen e Palestinës në Parlamentin Italian, me kusht dy kushte që janë lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe përjashtimin e Hamasit nga çdo përfshirje në një qeveri të ardhshme palestineze.

“Nuk jam kundër njohjes së Palestinës, por duhet të përqendrohemi në prioritetet e duhura”, u shpreh Meloni.

Kujtojmë se të hënën është zhvilluar një grevë e përgjithshme në të gjithë Italinë ku morën pjesë rreth 500 mijë njerëz në përgjigje të gjenocidit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës, bllokadës së ndihmës humanitare nga ushtria izraelite.

Njohja e Palestinës ishte një nga kërkesat që vinin nga e ashtuquajtura “Lëvizja pro-Pal”, një grup organizatash të shoqërisë civile, sindikatav dhe shoqatave të qytetarëve.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 40.6% e italianëve janë në favor të njohjes së plotë të një shteti sovran palestinez, ndërsa 21.9% e të anketuarve preferonin që të vendosej një administratë e përkohshme ndërkombëtare.