18:57 / E Shtunë, 11 Korrik 2020 / indeksADMonline

Italia kërkon vetizolim 14 ditor për kosovarët që kryejnë pushime në vendlindje

Kosovarët që jetojnë dhe veprojnë në Itali e që kanë planifikuar të vijnë për pushime në Kosovë, u është kërkuar që të vetizolohen për dy javë pasi të kthehen në Itali.

Ky është rregull i vendosur nga qeveria italiane për disa shtete, përfshirë edhe Kosovën.

IndeksOnline ka pyetur Ambasadën e Kosovës në Romë për të marr më shumë detaje përkitazi me këtë vendim të marrë nga autoritetet italiane.

“Aktualisht, hyrja në shtetin e Italisë nga Republika e Kosovës lejohet vetëm për ata qytetarë që janë të pajisur me leje qendrim të vlefshme italiane (përfshirë ato të cilat kanë skaduar ku vlefshmëria është shtyrë deri më 31 gusht 2020) dhe kanë vendbanimin/rezidencën në Republikën italiane”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kosovës në Itali.

Sipas praktikave aktuale, parashikohet që në momentin e hyrje-daljes në pikat kufitare të territorit italian, udhëtarët duhet të plotësojnë autodeklaratën ku evidentohet qëllimi/motivi i udhëtimit, si dhe pranimi i kushtit për vetizolim 14 ditor fill pas hyrjes në territorin italian, të cilin më pas duhet ta komunikojnë edhe përmes telefonit pranë organeve të shëndetit publik, sapo të kenë arritur në vendbanimin përkatës./IndeksOnline/