13:28 / E Enjte, 12 Shtator 2019

Italia në alarm nga rritja rekord e numrit të adoleshentëve shqiptarë

Ministria italiane e Punës dhe e Çështjeve Sociale, jep alarmin për një rritje të theksuar të numrit të emigrantëve minorenë të pashoqëruar shqiptarë e kosovarë në Itali.

Për vitin 2019 minorenët e pashoqëruar shqiptarë kanë shënuar numrin e tyre më të lartë në statistikat e 3 vjetëve të fundit.

Në raportin e sapopublikuar me të dhëna të regjistruara deri më 30 qershor 2019, e i disponueshëm në redaksinë e RTV Ora, në Itali emigrantët minorenë shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit e familja, janë më të shumtit në numër, ndër të gjitha kombësitë e tjera të pranishme në territor. Ky fenomen shfaqet shumë shqetësues dhe për minorenët kosovarë të cilët në krahasim me vite më parë janë rritur në numër.

Sipas të dhënave të këtij Raporti, deri më 30 qershor të 2019 në Itali janë të regjistruar 7272 emigrantët minorenë të pashoqëruar, shifër që shënon një reduktim me 44.7% me një vit më parë ku numri i tyre deri më 30 qershor 2018 ishte 13.151, dhe 59.3 % më pak se sa viti 2017 ku rezultonin 17.864 minorenë të pashoqëruar.

Por nëse në kuadrin e përgjithshëm ky fenomen shënon një përmirësim, pasi numri i minorenëve të pashoqëruar vjen çdo vit e reduktohet në Itali, krejt ndryshe paraqitet situata për ata me kombësi shqiptare e kosovare.

“Për shumicën e kombësive të minorenëve të pashoqëruar, thekson raporti, ka një reduktim absolut të numrit të tyre në krahasim me vitin 2018 e me vitin 2017, me përjashtim të minorenëve që vijnë nga Shqipëria, Kosova e Pakistani ku vëzhgohet një rritje e numrit të tyre në vlerë absolute.”

Deri më 30 qershor 2019 në Itali në strukturat që strehojnë emigrantët minorenë të pashoqëruar janë regjistruar 1 662 shqiptarë që përbëjnë 22.9% ndër 7272 që është numri i përgjithshëm i tyre.

Pas shqiptarëve renditen minorenët e ardhur nga Egjipti, Pakistani, Bregu i Fildishtë, Gambia, e Guinea.

Minorenët e ardhur nga Kosova rezuktojnë të jenë 377 e renditen në vendin e shtatë në këtë raport.

Analizimi i të dhënave të raportit konfirmon se për të dytin vit radhazi 2018, 2019, minorenët e pashoqëruar shqiptarë mbajnë vendin e parë me numrin më të lartë ndër të gjithë minorenët e kombësive të tjera tjerë.

E viti 2019 shënon rekordin absolut të numrit të tyre në krahasim me vitet e mëparshme.

Në vitin 2017 minorenët e pashoqëruar shqitparë në Itali ishin 1639 e renditeshin në vendin e katër pas atyre të arhdur nga Egjipti, Gambia e Guinea.

Në vitin 2018 numri i minorenëve shqiptarë kaloj në vend të parë me 1517 duke lënë pas minorenët nga Gambia, Egjipti e Guinea.

Shumica e minorenëve shqiptarë strehohen pranë strukturave në rajonin e Toskanës. 66 prej tyre janë femra e 1586 meshkuj.

44.2% e emigrantëve minorenë të pashoqëruar në Italia janë të moshës 17 vjec, 22.6% në moshën 16 vjec, 10. 2% 15 vjeç e rreth 23 % nën moshën 15 vjeçare.

Në bazë të ligjit 286/1998 në gjashtëmujorin e parë të 2019, 396 shqiptarëve e 219 kosovarë i është dhënë e drejta e konvertimit të lëjes së qëndrimit nga minoren i pashoqëruar në leje e rregullt qëndrimi për të drejtë studimi e punësimi.

Raporti i ministrisë italianë dokumenton se gjatë vitit 2019 Departamenti për Politikat e emigracionit e integrimit ka kryer hetime për verifikimin e familjeve e motive të emigrimit të minorenëve drejt Italisë.

Hetime janë kryer për familjet dhe të 6 minorenëve shqiptarë e 5 kosovarë./oranews