75 Mall Live Search
23:04 / E Enjte, 13 Maj 2021 / OSH

Italia për herë të parë bëhet me kryespiune

Ish-ambasadorja, Elisabetta Belloni, është bërë gruaja e parë që do të drejtojë Shërbimet Sekrete në Itali.

Kryeministri Mario Draghi ka njoftuar për përzgjedhjen e Bellonit në krye të Departamentit të Sigurisë së Informacionit.

Ky departament mbikëqyr shërbimet e inteligjencës së huaj dhe të brendshme të vendit dhe i raporton drejtpërdrejt qeverisë italiane.

Departamenti i Sigurisë së Informacionit në Itali merret gjithashtu me kundër-spiunazhin dhe sigurinë kibernetike.

63 vjeçarja Belloni ka një karrierë të gjatë në të qenit “e para”, transmeton Klan Kosova.

E lindur në vitin 1958, ajo u bë një nga vajzat e para që iu bashkua institutit prestigjioz – dhe dikur ekskluzivisht për meshkuj – Massimiliano Massimo në Romë, aty ku edhe kryeministri Draghi ka studiuar.

Pasi ka shërbyer si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo ka vazhduar ta drejtojë Njësinë e Krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga viti 2004 deri në vitin 2008 – që ishte hera e parë që një grua e mori këtë detyrë.

Gjatë kësaj kohe asaj i është dashur të merrej me shtetasit italianë që janë vrarë brenda apo jashtë vendit, duke përfshirë kidnapimet në Afganistan dhe Irak derisa ka mbikëqyrur edhe operacionet e shpëtimit për italianët e prekur nga cunami shkatërrues në Oqeanin Indian të vitit 2004.

Elisabetta Belloni u promovua në karrierë duke u bërë kështu e para grua në postin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme – posti më i lartë diplomatik në Itali – pozitë të cilën e ka mbajtur deri tani.