Iu “avulluan” mijëra vota, reagon Kujtim Gashi: Distancohem nga kjo praktikë!
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me procesin zgjedhor dhe zhvillimet gjatë rinumërimit të votave, duke vënë theksin te rëndësia e ruajtjes së dinjitetit dhe besimit në demokraci.
Gashi theksoi se pavarësisht rëndësisë që ka rezultati zgjedhor, mbi të gjitha qëndron integriteti personal, politik dhe institucional. Ai shpreh shqetësimin për ndryshimet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave, duke nënvizuar se distancohet plotësisht nga çdo veprim apo praktikë që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, shkruan IndeksOnline.
“Mbi çdo rezultat zgjedhor qëndron ruajtja e dinjitetit personal, politik dhe institucional. Rezultati ka rëndësinë e vet, por besimi në demokraci është themeli i çdo procesi të drejtë.
Si kandidat, kam ndjekur me shqetësim ndryshimet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave, duke theksuar njëkohësisht se distancohem plotësisht nga çdo veprim apo praktikë që cenon integritetin e procesit zgjedhor. Çdo paqartësi dëmton besimin e qytetarëve dhe kërkon sqarim të plotë institucional”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, vetëm përmes sqarimit të plotë të çdo dileme dhe respektimit të vullnetit të votuesve deri në numërimin e kutisë së fundit mund të forcohet demokracia në vend.
“Kërkimi i transparencës dhe llogaridhënies është detyrim qytetar. Vetëm përmes sqarimit të plotë dhe respektimit të vullnetit të votuesit mund të forcojmë demokracinë dhe të heqim çdo dilemë deri në numërimin e kutisë së fundit.
Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e dinjitetit, drejtësisë dhe demokracisë, me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve. Sepse politika nuk është vetëm rezultat, por edhe shembull”, ka shkruar Gashi./IndeksOnline/

