Iu gjetën mbi 250 kg narkotikë, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin S.J
Prokuroria Speciale ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit S.J.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale personi në fjalë dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Tutje, nga Prokurori Speciale thonë se gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 268.44 kilogramë substancë narkotike e dyshuar marihuanë
“Kërkesa është paraqitur mbi bazën e dyshimit se S.J., ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Sipas kërkesës dyshohet se S.J., kishte për qëllim që të transportonte substanca narkotike në një shtet tjetër. Gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 268.44 kilogramë substancë narkoktike e dyshuar marihuanë, e cila dyshohet se është transportuar nga Republika e Shqipërisë, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian. Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e sigurisë prej një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit, duke vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Sot, Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur se ka ndaluar 250 kilogramë kanabis, në autostradën “Ibrahim Rugova”, operacion ky me përkrahjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues”, thuhet në komunikatë.

