U vonohet paga e janarit, një pjesë e minatorëve të “Trepçës” i futen grevës

Kemi hyrë në ditën e 12 të muajit shkurt dhe minatorët e “Trepçës”, ende nuk kanë marrë pagat e janarit.
E pikërisht kjo mungesë e pagave ka detyruar një pjesë të ndërrimit të dytë të natës së kaluar të mos dilnin fare jashtë horizontit, aty ku edhe kishin punuar tërë ditën, raporton IndeksOnline.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani, në një prononcim për IndeksOnlinen ka thënë se bëhet fjalë për 10 persona, të cilët kanë refuzuar të dilnin, ndërsa ndërrimi i tretë i përbërë nga rreth 40 persona nuk kanë dalë fare në punë.
Ndërrimi i dytë nja 20 apo 25 veta në horizont, ndërsa kur ka përfunduar ndërrimi 10 kanë mbetur brenda e kanë refuzuar të dilnin. Ndërsa në ndërrimin e tretë janë 40 persona e të cilët nuk kanë dalë fare në punë”, tha Osmani për IndeksOnlinen.
Ai ka sqaruar se kanë biseduar me kryeshefin ekzekutiv të “Trepçës” Enes Muzaqi, i cili ka kërkuar mirëkuptimin e punëtorëve edhe për 4 ditë të tjera deri në daljen e pagave, mirëpo situata si duket është bërë e padurueshme për minatorët”.
Osmani ka theksuar se tashmë 3 muaj, minatorët e mbajnë veten me shitjet e koncentratit të xehes dhe se nuk kanë asnjë ndihmës nga Qeveria.