14:39 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ivanov nuk e dekreton Marrëveshjen për emrin

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka vendosur të mos e dekretojë Marrëveshjen për emrin “Maqedonia e Veriut”, të arritur mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, me të cilën zgjidhet kontesti prej dy dekadave e gjysmë.

Në arsyetimin e presidentit thuhet se marrëveshja është antikushtetuese dhe se çdo zyrtarizim, sipas kreut të shtetit, paraqet vepër penale.

“Nuk kam mandate të nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Një nga shtyllat e politikës programit tim zgjedhor nga viti 2014 është se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin nacional maqedon, veçoritë e kombit maqedon, gjuhën maqedone dhe modelin maqedonas për bashkëjetesë”, thuhet në komunikatën e presidentit Gjorge Ivanov.

Sipas tij, Marrëveshja për emrin është në kundërshtim edhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi në to sipas Ivanovit, flitet për “dallime rreth emrit të shtetit dhe jo për dallime siç flitet në këtë marrëveshje”.

Marrëveshja, thuhet më tej në komunikatë, nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është ratifikuar në përputhje me Kushtetutën.

“Sipas nenit 118 të Kushtetutës së Maqedonisë, marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik…Ligji për ratifikimin e marrëveshjes është në kundërshtim me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Ivanov vlerëson se marrëveshja e sjell Maqedoninë në pozitën e shtetit të nënshtruar dhe të varur nga një shtet tjetër, përkatësisht nga Republika e Greqisë.

“Sipas nenit 308 të Kodit Penal, qytetari që e sjell vendin në pozitën e të nënshtruarit apo të varësisë ndaj ndonjë shteti tjetër, do të dënohet me së paku 5 vjet burg. Zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje krijon pasoja juridike që janë bazë për vepër penale”, vlerëson kreu i shtetit.

Për partitë në pushtet, vendimi i presidentit ishte i pritur bazuar në deklarimet e deritanishme, por sërish i bëjnë thirrje që të respektojë Kushtetutën pasi për çdo shkelje do të bartë përgjegjësi.

Zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska thotë se megjithatë fjalën përfundimtare për Marrëveshjen për emrin do të thonë qytetarët në referendum, por pa dhënë detaje mbi procedurat deri në realizimin e tij, si pragun e nevojshme për 50 për qind, pyetjen e referendumit e çështje tjera.

“Rreth kësaj çështjeje do të zhvillojmë konsultime në Kuvend, edhe me opozitën dhe do të sjellim vendimin që do të jetë i mirë, jo vetëm për individ apo parti politike, por për Maqedoninë. Mendoj se ende është herët të flasim për fazën e dytë, pasi për momentin vëmendja e të gjithë atyre që i mendojnë të mirën Maqedonisë është që të arrijmë të marrim ftesën për anëtarësim në NATO dhe datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Këto dy qëllime të mëdha janë më të rëndësishme gjithçka tjetër, por pajtohem se referendumi është pjesa kryesore dhe ne do t’i ftojmë jo politikanët, por qytetarët që të mbështesin Maqedoninë evropiane dhe euroatlantike”, ka deklaruar Sheqerinska

Në bazë të Kushtetutës, tani pas mosdekretimit nga presidenti Ivanov ligji sërish kthehet për votim, dhe nëse sërish votohet, atëherë presidenti është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bënë shkelje ligjore.

Por, bazuar në qëndrimin e deritanishëm, ai sërish mund të mos e nënshkruajë vendimin për hyrjen e saj në fuqi, njëjtë siç bëri edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Ai ka bërë disa herë shkelje të rënda të kësaj natyre të Kushtetutës dhe mund të supozojmë se edhe për hërë të dytë pasi të jetë votuar ligji të mos e dekretojë atë. Në këtë rast, edhe kjo marrëveshje do të ketë fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që u refuzua të dekretohet nga presidenti Ivanov. Por, e mira në këtë marrëveshje është se obligimet e Greqinë nuk janë të lidhura për aktin e shpalljes së ligjit, por me aktin e ratifikimit të tij në Kuvend”, ka deklaruar Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Marrëveshja për emrin ishte ratifikuar nga Kuvendi i Maqedonisë të mërkurën e kaluar dhe për të kishin votuar 69 deputetë, kundër dhe të përmbajtur nuk kishte.