21:15 / E Mërkurë, 01 Prill 2020

Izolimi prej COVID-19, këngëtari shqiptar: Një nënë më kërkoi para për qumësht

Ndërkohë që Shqipëria është në izolim si masë e marrë nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19, uria dhe varfëria po ulen këmbëkryq në familjet e varfëra shqiptare.

Këngëtari i njohur korçar Stefi Prifti me anë të një postimi në rrjetet sociale ka treguar historinë e dhimbshme ku një vajzë i kishte kërkuar 200 lekë për të blerë qumësht e niseshte për fëmijën 10 muajsh.

Ai tregon se është ndjerë i prekur nga kjo situatë.

“Tani filloi lufta! Veç virusit po troket uria! Dola për disa pazare të vogla dhe sot për herë të parë pashë, se shumë pak njerez blinin! Ndoshta edhe shiu bën të vetën.

Pranë shtëpisë më flet një vajzë: “Zotëri, mund të më japësh 200 lekë?! Kam një vajzë 10-muajshe dhe nuk kam qumësht, niseshte apo miell për t’i bërë çëçen!”

U preva! U preka…! Me keqardhje them, lufta filloi! Zoti të na ndihmojë në këtë rrugëtim sakrificash’, lutet artisti i mirënjohur.