Izolohen 15 kilogramë mozzarella në tregun e Kosovës, pritet të asgjësohen
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe të palës përkatëse, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, është realizuar izolimi i produktit djath Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogramësh, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.
Ky produkt është prodhuar nga kompania Caseificio Coop. “La Contadina” në Itali dhe importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe dhe së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.
Ky veprim ndërmerret me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të siguruar respektimin e standardeve të cilësisë ushqimore.
Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ballafaqohet me një mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor. AUV-ja vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm.

