75 Mall Live Search
12:49 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Izrael: Rekord i ri infeksionesh me Covid-19, pavarësisht bllokimit kombëtar

Disa ditë pas fillimit të një bllokade të dytë kombëtare në Izrael, numri i infeksioneve të koronavirusit arriti një rekord të ri.

Sipas një deklarate nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, 6.861 infeksione të reja u regjistruan dje.

Rekordi i mëparshëm ishte ai i javës së kaluar, kur 5.533 raste të reja u konfirmuan në një ditë të vetme.

Bllokimi kombëtar filloi të premten, në prag të Vitit të Ri hebraik, por shumë izraelitë gjetën boshllëqe në rregullat e publikuara dhe festuan me familjet e tyre apo organizuan darka festive me miqtë ose të afërmit që jetonin afër, raporton ATSH-ja.

Gjatë bllokimit tre javor, i cili mbulon të gjithë sezonin e festave hebraike, izraelitëve u kërkohet të qëndrojnë brenda një kilometri nga shtëpitë e tyre, megjithëse ka përjashtime nga rregulli të tilla si udhëtimi për punë apo blerja e gjërave të domosdoshme.

Ndalohet hapja e shumë bizneseve si hotele, qendra tregtare, qendra rekreative, sallone bukurie, qendra sportive dhe pishina, ndërsa supermarketet, farmacitë dhe shërbimet e shpërndarjes së ushqimit janë ende funksionale.