75 Mall Live Search
18:59 / E Diele, 24 Gusht 2025 / F.R

Izraeli bombardon qytetin e Gazës para ofensivës së madhe

Aeroplanë dhe tanke kanë bombarduar disa pjesë të qytetit të Gazës, ndërsa planet e Izraelit për të pushtuar zonën më të madhe urbane të territorit rrisin presionin ndaj pothuajse një milioni palestinezëve që jetojnë aty.

Siç shkruan “BBC” këtë të dielë, banorët kanë raportuar për shpërthime të pandërprera në pjesët veriore dhe lindore të qytetit.
Forcat izraelite janë rikthyer gjithashtu për të hedhur në erë ndërtesat në kampin e refugjatëve Jabalia, më në veri.
Ministria e shëndetësisë e administruar nga Hamasi në territor njoftoi se 64 persona u vranë dhe rreth 300 u plagosën në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas saj, numri total i të vrarëve që nga fillimi i fushatës masive të Izraelit për të mposhtur Hamasin ka arritur në 62 mijë e 686, ndërsa janë plagosur 157 mijë e 951 të tjerë.

Ushtarët izraelitë nisën një operacion në Gaza si përgjigje ndaj sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar të mposhtë Hamasin dhe ka sfiduar kritikat e ndërkombëtarëve për planet e tij për zgjerimin e luftës.
Rreth 60 mijë rezervistë janë thirrur për të marrë pjesë në operacionin izraelit.

Ndonëse sulmet ndaj qytetit të Gazës nuk kanë filluar ende me intensitet të plotë, ato vazhdojnë pa ndërprerje, zonat Zeitoun dhe Shejayia janë goditur nga ajri gjatë natës së së dielës, ndërsa lagjja Sabra është goditur me tanke.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë deklaruar gjithashtu se ushtarët kanë rikthyer aktivitetin në zonën Jabalia në ditët e fundit.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të dielën se një anëtar i stafit është liruar nga IDF pas mbajtjes si i burgosur që nga 21 korriku në Gaza. Nuk ka detaje të tjera për identitetin e punonjësit të OBSH-së apo arsyet e mbajtjes së tij.

Netanyahu po përballet gjithashtu me presion të madh në Izrael, veçanërisht nga familjet e pengjeve që duan që ai të negociojë për përfundimin e luftës për të sjellë të afërmit e tyre në shtëpi.
Mendohet se vetëm 20 nga 50 pengjet që mbahen ende në Gaza janë gjallë.