75 Mall Live Search
17:36 / E Diele, 07 Shtator 2025 / MSH

Izraeli deklarohet rreth njohjes së shtetësisë palestineze

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar e ka quajtur “gabim” vendimin e disa shteteve për ta njohur shtetësinë palestineze, dhe ka paralajmëruar se diçka e tillë mund të nxisë përgjigje unilaterale të paspecifikuar, pas raportimeve se Izraeli planifikon t’i aneksojë disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Disa shtete, përfshirë Francën dhe Britaninë, janë zotuar për ta njohur shtetin palestinez në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila mbahet këtë muaj.

Marrëdhëniet francezo-izraelite janë tensionuar dukshëm javëve të fundit, prej kur presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë të ditur se shteti i tij planifikon të jetë nikoqir i një konference të organizuar bashkë me Arabinë Saudite për të diskutuar në OKB zgjidhjen me dy shtete.

Kryeministri britanik, Keir Starmer ka thënë muajin e kaluar se Britania do ta njohë shtetësinë palestineze nëse Izraeli nuk arrin armëpushim për luftën në Gazë, të nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite në tetor të vitit 2023.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.