Izraeli përgatitet për ofensivën e re në Gaza, paralajmëron zhvendosjen e palestinezëve nga zona e luftës

Izraeli ka njoftuar të shtunën se po përgatitet të zhvendosë civilët palestinezë nga zonat e luftimeve në jug të Gazës, ndërsa paralajmëron një ofensivë të re ushtarake në pjesët më të populluara të territorit.
Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, tha se duke filluar nga e diela, do të shpërndahen tenda dhe pajisje të tjera strehimi për banorët e Gazës që do të largohen nga zonat e luftimeve drejt jugut, në atë që ushtria e cilëson si “zona të sigurta”. Pajisjet do të kalojnë nga pika kufitare e Kerem Shalom, përmes OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të ndihmës, pas kontrolleve të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.
Ky njoftim vjen pak ditë pasi Izraeli paralajmëroi se synon të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, qendra më e madhe urbane e enklavës me rreth 2.2 milionë banorë – një plan që ka ngritur shqetësime të forta ndërkombëtare.
Familjet e pengjeve në Izrael shpallin “ditë ndalese”
Paralelisht, familjet e pengjeve izraelite kanë bërë thirrje për një “ditë kombëtare ndalese” të dielën, për të shprehur zhgënjimin pas 22 muajsh lufte.
Ata shprehen të frikësuar se një ofensivë e re mund të rrezikojë më tej 50 pengjet e mbetur në Gaza, prej të cilëve mendohet se vetëm 20 janë ende gjallë. Publikimi i disa videove të fundit, ku pengje të dobësuar shfaqen duke folur nën presion dhe duke kërkuar ndihmë e ushqim, ka shtuar indinjatën në opinionin publik.
“Dua të besoj se ka shpresë, por ajo nuk do të vijë nga lart – do të vijë vetëm nga ne,” tha Dana Silberman Sitton, motra e Shiri Bibas dhe halla e fëmijëve Kfir e Ariel Bibas, të cilët u vranë në robëri. Deklarata u bë gjatë një proteste javore në Tel Aviv.
Një grup që përfaqëson familjet e pengjeve ka bërë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar: “Në gjithë vendin, qindra nisma qytetare do të ndalojnë jetën e përditshme dhe do të bashkohen në kauzën më të drejtë dhe morale: kthimin në shtëpi të 50 pengjeve,” thuhet në deklaratë.
39 të vrarë nga sulmet izraelite
Ndërkohë, agjencia e mbrojtjes civile në Gaza raportoi se të paktën 39 persona u vranë të shtunën nga sulmet izraelite, ndërsa paralajmëroi se bombardimet intensive në një lagje të qytetit të Gazës po vënë në rrezik serioz jetën e civilëve që ende ndodhen aty.