75 Mall Live Search
20:10 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / F.R

Izraeli shpërthen ndaj Gjykatës së Hagës: Jeni bërë strehë për terroristët

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë, e cila kërkon që Izraeli të mbështesë ndihmat humanitare të OKB-së në Rripin e Gazës, përfshirë edhe UNRWA-n (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt).

Danon e cilësoi këtë opinion si “të turpshëm”, duke akuzuar agjencitë e OKB-së se janë “shndërruar në strehë për terroristët”.

“Ata fajësojnë Izraelin për mungesë bashkëpunimi me organet e OKB-së, por duhet të fajësojnë veten. UNRWA ka mbështetur Hamasin për vite me radhë”, tha ai.

Vendimi i dhënë nga një panel prej 11 gjyqtarësh kërkon që Izraeli të lehtësojë përpjekjet humanitare në Gaza dhe të mos pengojë punën e agjencive ndërkombëtare.

Në një tjetër zhvillim, zëvendëskryeministri izraelit Yariv Levin njoftoi dëbimin e 32 aktivistëve të huaj, të cilët kishin ndihmuar palestinezët gjatë sezonit të korrjes së ullinjve në Bregun Perëndimor.

Sipas Levin, vendimi u mor pas një ankese të presidentit të Këshillit të Vendbanimeve të Veriut, Yossi Dagan, i cili i quajti aktivistët “anarshistë që provokuan në zonën e Samarisë”.

Këtë vit, janë shtuar rastet e dhunës gjatë sezonit të ullinjve, me dhjetëra raste vandalizmi dhe sulmesh nga kolonët izraelitë ndaj fermerëve palestinezë.

Njëri prej të dëbuarve, britaniku 30-vjeçar Rudy Schulkind, tha për AFP se ishte mbajtur 72 orë nga forcat izraelite përpara se të dëbohej më 19 tetor. Ai shtoi se 32 persona u arrestuan në një ullishte pranë qytetit të Nablusit.