75 Mall Live Search
20:29 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / Burim

Izraeli thotë se ka sulmuar caqe të Hezbollahut në Liban

Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore ndaj vendeve që përdoren nga Hezbollahu për të prodhuar dhe ruajtur raketa në Liban.

Izraeli ka sulmuar disa herë në Liban, pavarësisht një armëpushimi të arritur në nëntorin e vitit të kaluar.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se caqet përfshinin “qendrën më të madhe të prodhimit të raketave precize të Hezbollahut”, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur “infrastrukturë që përdorej për prodhimin dhe ruajtjen e armëve strategjike” në jug të Libanit dhe në Luginën Beka.

“Çdo përpjekje e organizatës terroriste për t’u rikuperuar, për t’u riorganizuar apo për të kërcënuar, do të përballet me intensitet të pamëshirshëm”, u zotua Katz.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban o ashtu raportoi për sulme në Beka, që gjendet në lindje, por edhe në jug.

Si ministri Katz, ashtu edhe ushtria izraelite, akuzuan Hezbollahun se po përpiqet të rindërtojë infrastrukturën e tij ushtarake dhe kërkuan që ushtria libaneze të ndërhyjë për çarmatosjen e këtij grupi.

“Ndër objektivat e goditura ishin vendet e prodhimit të eksplozivëve, të cilat përdoreshin për zhvillimin e armatimit të Hezbollahut, si dhe një ndërtesë nëntokësor për prodhimin dhe ruajtjen e armëve strategjike”, tha ushtria izraelite.

“Organizata terroriste Hezbollah u përpoq të rindërtonte objektet dhe kapacitetet, veprime që përbëjnë një shkelje të marrëveshjeve ndërmjet Izraelit dhe Libanit”, tha ushtria izraelite.

Më herët, presidenti libanez, Joseph Aoun, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur ta çarmatosë Hezbollahun, gjë për të cilën vënë nën presion të madh nga SHBA-ja, pavarësisht kundërshtimeve të grupit, i cili pohon se një gjë e tillë do t’i shërbente interesave izraelite.

Hezbollahu dhe Izraeli zhvilluan një luftë dymujore vitin e kaluar, e cila i shkaktoi humbje të mëdha grupit, por ai vazhdon të ketë një pjesë të arsenalit të tij./ REL