75 Mall Live Search
11:59 / E Premte, 25 Korrik 2025 / mp

Izraeli u bën thirrje hebrenjve francezë të kthehen “në shtëpinë e tyre”, pas paralajmërimit të Macron për njohje të Palestinës

Pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron se Parisi planifikon të njohë zyrtarisht një shtet palestinez gjatë një takimi të OKB-së në shtator, ministri izraelit i Emigracionit dhe Absorbimit, Ofir Sofer, u ka bërë thirrje hebrenjve francezë të zhvendosen në Izrael.

“Shteti i Izraelit mirëpret emigrantët e shumtë nga Franca që kanë zgjedhur të kthehen në shtëpinë e tyre të vërtetë që prej 7 tetorit, pavarësisht luftës,” ka shkruar Sofer në platformën X.

Ai tutje ka shtuar se: “Ne po përgatitemi me një sërë programesh të reja dhe unike për të zgjeruar procesin e absorbimit. Hebrenj francezë, kjo është shtëpia juaj – Shteti i Izraelit,” ka përfunduar ai.

Kujtojmë se vendimi i Macron për njohje është mirëpritur nga zyrtarët palestinezë, megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti si një “shpërblim për terrorin”, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi si një veprim “të pamatur”.

Macron ka theksuar se ai dhe liderë të tjerë kanë detyrimin të tregojnë se paqja është e mundur, duke shtuar se “prioriteti urgjent sot” është përfundimi i luftës dhe ofrimi i ndihmës për popullin në Gaza.