Izraeli urdhëron evakuime në veri të Gazës, ndërsa Trump nxit armëpushimin

Izraeli i ka urdhëruar palestinezët të evakuohen nga pjesë të Gazës veriore përpara rritjes së veprimeve ushtarake, ndërsa presidenti i ShBA-së, Donald Trump, shtyn për një marrëveshje armëpushimi.
Njerëzve në lagjet përgjatë Gazës dhe Jabalia u është thënë të lëvizin në jug drejt zonës bregdetare të Al-Mawasi, ndërsa operacionet ushtarake izraelite “intensifikohen dhe zgjerohen drejt perëndimit”.
Të paktën 86 persona u vranë si rezultat i sulmeve izraelite në 24 orët para mesditës të së dielës, tha ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Tre fëmijë ishin midis atyre që u vranë në një sulm në të ashtuquajturën “zonë të sigurt” të Al-Mawasi, thanë prindërit e tyre.
Trump të dielën përsëriti thirrjet për të “bërë marrëveshjen në Gaza” dhe për të “kthyer pengjet”.
Të shtunën, Trump kishte thënë në Truth Social se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte në proces negocimi të një marrëveshjeje me Hamasin “tani për tani”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, tha të dielën se ushtria izraelite po vepronte në veri të Gazës “për të eliminuar terroristët dhe infrastrukturën terroriste”.
Mjekët dhe banorët i thanë Reuters se bombardimet ushtarake u rritën në Gaza në orët e para të së dielës, duke shkatërruar disa shtëpi.
Agjencia e mbrojtjes civile e drejtuar nga Hamasi në Gaza u tha mediave se të paktën 23 persona ishin vrarë vetëm të dielën.
Mjekët thanë se pesë persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një tendë që strehonte persona të zhvendosur në Al-Mawasi pranë qytetit jugor të Khan Younis – një zonë ku njerëzve në veri u ishte thënë të evakuoheshin, shkruan BBC.