10:46 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Izraeli, vret komandantin e Xhihadit Islamik

Ushtria izraelite ka kryer një sulm ajror, duke vrarë komandantin e Brigadave Al-Kuds, krahun e armatosur të fraksionit të rezistencës me seli në Gaza, Xhihadi Islamik, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga ushtria thonë se kanë qëlluar një shtëpi në Gaza, duke pasur cak Bahaa Abu Al-Atta, që rezultoi me vrasjen e tij.

Ushtria thotë se sulmi “ishte miratuar nga kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Benjamin Netanyahu”.

“Abu Al-Atta, praktikisht kreu shumicën e aktiviteteve të lëvizjes në Rripin e Gazës dhe ishte drejtpërdrejt i përfshirë në operacionet dhe tentativat për të sulmuar qytetarët dhe ushtrinë e Izraelit në disa mënyra”, thuhet në komunikatën e ushtrisë.

Fraksioni i rezistencës palestineze konfirmoi se është vrarë Al-Atta, komandanti i pjesës veriore të Rripit të Gazës, duke u zotuar se do të hakmerret për vdekjen e tij.

“Jemi të pikëlluar për martirizimin e komandantit Abu Al-Atta dhe gruas së tij në këtë krim dhe ne shpallim gjendjen e gatishmërisë midis luftëtarëve tanë”, thuhet në komunikatë.

Në një deklaratë tjetër, nga Brigadat Al-Kuds thonë se kanë lëshuar raketa në jug të Izraelit si përgjigje ndaj atentatit.

Ushtria izraelite njoftoi se pas sulmit ajror, në jug të vendit janë aktivizuar sirenat e alarmit.

Në Rripin e Gazës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe procesi mësimor në shkolla u pezullua deri në njoftimin e mëtejshëm.

Korporata zyrtare izraelite e transmetimit tha se ushtria kishte përforcuar forcat e saj rreth Rripit të Gazës dhe po përgatitej për disa “skenarë sulmues dhe mbrojtës”.