75 Mall Live Search
19:00 / E Diele, 26 Tetor 2025 / H F

Ja 5 arsyet pse ndiheni të lodhur edhe kur hani shëndetshëm


A nisni ditën duke ngrënë proteina, mbushni gjysmën e pjatës me perime, hani disa fruta gjatë ditës dhe megjithatë ndiheni të lodhur? Nuk jeni vetëm.

Sipas Google, kërkimet si “lodhje pas vakteve” ose “pse gjithmonë jam i përgjumur” janë mjaft të shpeshta. Edhe kur përpiqemi të ushqehemi shëndetshëm, lodhja nuk largohet.

Sipas dietologes Ro Huntriss, disa nga faktorët që mund ta shkaktojnë lodhjen janë: inflamacion i lehtë, stres i vazhdueshëm, faza e ciklit menstrual apo cilësia e përgjithshme e gjumit.

“P.sh., stresi mund të ndikojë në tretje dhe thithjen e nutrientëve, ndërsa mungesa e gjumit ndryshon mënyrën se si trupi përpunon glukozën,” thotë ajo.

Megjithatë, edhe dieta luan rol. Ja disa nga arsyet dietike që mund të jenë përgjegjëse për lodhjen tuaj të vazhdueshme:

  1. Mungesa e nutrientëve thelbësorë

“Edhe pse është e rëndësishme të kontrolloni marrjen ditore të yndyrnave dhe proteinave të shëndetshme, trupi ka nevojë për shumë më tepër,” thotë Huntriss, duke përmendur hekurin, magnezin dhe vitaminën B12, të cilat janë të domosdoshme për prodhimin e energjisë. “Pa këta nutrientë, dieta mund të duket e shëndetshme, por nuk është aq e efektshme sa duket. Lodhja dhe mungesa e energjisë mund të jenë shenja që është koha të rishikoni ushqimin tuaj.”

  1. Kombinime të gabuara ushqimesh

“Një smoothie me fruta mund të duket i shëndetshëm, por mund t’ju lërë të uritur dhe të lodhur pas një ore,” shpjegon Huntriss. Ajo sugjeron të shtoni proteina dhe yndyra të shëndetshme për të qëndruar të ngopur dhe për të ruajtur energjinë gjatë ditës. Për shembull: gjalpë arrash, kos grek dhe fara janë opsione të shkëlqyera.

  1. Orari i çrregullt i vakteve

“Trupi ynë ndjek ritmet natyrore cirkadiane, dhe mund të duhet kohë për të gjetur oraret e vakteve që funksionojnë më mirë për ju,” thotë Huntriss. Ushqimet e rënda para gjumit ndikojnë negativisht në gjumë, pasi rrisin nivelin e glukozës. Disa njerëz preferojnë agjërim të ndërprerë, ndërsa të tjerët ndihen më energjikë duke ngrënë vakte të moderuara çdo 3–4 orë. Ju duhet të gjeni ritmin tuaj.

  1. Dehidratimi

Është thelbësore të pini mjaft ujë. “Edhe dehidratimi i lehtë shkakton lodhje, dhimbje koke, përgjumje dhe mungesë përqendrimi,” kujton Huntriss. Pirja e ujit çdo ditë ndihmon për të ruajtur energjinë.

  1. Teprimi me kafeinën

Një kafe pasdite mund të duket si zgjidhje e lehtë për më shumë energji, por përfitimet janë zakonisht të përkohshme. Konsumi i tepërt mund të ndikojë në ritmin natyral të gjumit. “Pijet me kafeinë japin një shtysë energjie, por konsum i tepërt çrregullon gjumin, kështu që rrezikoni të ndiheni më të lodhur me çdo kafe që pini. Kufizoni kafeinën deri në mesditë,” këshillon Huntriss.