75 Mall Live Search
20:30 / E Mërkurë, 18 Mars 2020 / indeksADMonline

Ja çka thotë Kushtetuta për mocionin e votëbesimit?

Lidhja Demokratike e Kosovës do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti. Ky vendim është marrë sonte në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Nëse inicimi i mocionit të mosbesimit bëhet tani, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës ai, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit, duhet të vihet në rëndin e ditës në Kuvend, raporton IndeksOnline.

Neni 100 i Kushtetutës, që flet për Mocionin e Votëbesimit, thotë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.

Po ashtu sipas kushtetutës, nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje./IndeksOnline/