75 Mall Live Search
13:50 / E Martë, 13 Janar 2026 / KV

Ja ku ka përfunduar asfalti në Dobroshec të Drenasit

Dy asamblistët e VV-së në Drenas, Egzona Tërdevci dhe Xhavit Drenori kanë vizituar sot fshatin Dobroshec, vendin te ura e lagjes “Ademi”, ku rruga që lidh urën nga ana e fshatit është dëmtuar rëndë nga përmbytjet e fundit.

“Pas fazës emergjente të vërshimeve, dalëngadalë po evidentohen dëmet që ato lanë pas. Rasti i urës në lagjen “Ademi” është një shembull i qartë: ura vetë u mbijetoi përmbytjeve, por pjesa e rrugës nga ana e lagjes “Ademi” u shkatërrua rëndë, duke zbuluar mungesën e disa gypave për përcjelljen e ujit”, ka thënë Drenori.

Sipas tij, këta gypa, me shumë gjasë, do ta kishin parandaluar ose të paktën do ta kishin zvogëluar dëmin e shkaktuar nga uji. Ai tha se sot po shihet qartë se kostoja e dëmit është shumë më e madhe sesa do të kishte qenë investimi paraprak në infrastrukturë të duhur.

“Kjo nuk është vetëm çështje e kësaj ure apo e kësaj rruge. Në përgjithësi, nevojitet një kontroll më i thellë dhe një planifikim shumë më i mirë i investimeve në lokalitetet e komunës sonë, në mënyrë që të mos përsëriten këto situata dhe të mbrohen si infrastruktura, ashtu edhe qytetarët”, ka thënë Drenori.