21:58 / E Shtunë, 02 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ja kur do ta lënë postin e deputetit Mytaher Haskuka e Qëndron Kastrati

Në zgjedhjet lokale të tetorit kandiduan për kryetar komunash edhe disa politikanë të cilët tashmë kishin një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Disa nga ta nuk arritën të marrin besimin e qytetarëve për të qeverisur me komunat përkatëse, kurse disa të tjerë duke qenë deputetë u bën edhe kryetar komunash, shkruan Indeksonline.

Rast konkret janë dy deputetë të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka dhe Qëndron Kastrati të cilët në raundin e dytë të zgjedhjeve fituan mandatin e kryetarëve për të qeverisur në katër vitet e ardhshme në Prizren e Kamenicë.

Pavarësisht se u zgjodhën kryetar, të dy këta po vazhdojnë të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka sqaruar për Indeksonline se si rregullohet me ligj kjo çështje.

Në një përgjigje me shkrim, MAPL ka njoftuar se mandati i Kryetarit të Komunës fillon ne momentin e dhënies së betimit para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, në përputhje me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, nenin 57.

“Ligji Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, neni 9, kandidati për pozitë të Kryetarit të Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje tjera siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur. Nëse zgjidhet si Kryetar Komune, kandidati nuk do të këtë të drejtë të mbajë vendin në Kuvendin e Kosovës apo Kuvendin e Komunës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Sipas MAPL-së, kryetarët dhe asamblistët betohen 15 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja. E këto rezultate KQZ i certifikoi të mërkurën. /Indeksonline/