12:16 / E Premte, 08 Nëntor 2019

Ja kur do të dalin pagat me rritje, të muajit dhjetor

Në muajin e ardhshëm pagat me rritje në sektorin publik do të dalin pa vonesa.

Madje, për shkak të festave të fundvitit, punëtorët në institucione të Republikës së Kosovës, do të marrin me herët pagat se zakonisht, shkruan Indeksonline.

Lulzim Rafuna, këshilltari i ministrit së Financave në dorëheqje, Bedri Hamza, për Indeksonline, ka thënë se pagat me rritje në muajit dhjetor do të dalin 2-3 ditë  para 31 dhjetorit, festës së Vitit të Ri.

Ndërsa, festë zyrare në Kosovë në dhjetor është edhe data 25, festa e Krishtlindjeve.

“Pagat do të dalin siç kanë dalë gjithëmonë, nuk do të ketë asnjë vonesë. Zakonisht pagat kanë dalë para festave të fundvitit, edhe këtë herë do të dalin 2-3 ditë më herët. Nuk do të ketë implikime buxhetore”, ka thënë Rafuna për Indeksonlinen.

Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro. Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare./Indeksonline/