08:09 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ja kur fillon lobimi për liberalizimin e vizave

Të enjten (më 7 qershor) një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, do të udhëtojë drejt Austrisë dhe Francës më pas për të lobuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Veseli së bashku me përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare do të kërkojnë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës vetëm pak javë para se të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, tani kur jemi vetëm dy ditë para se delegacioni i Kosovës të udhëtojë drejt Austrisë, deputetët thonë se nuk janë të informuar se cilët deputetë do të jenë pjesë e delegacionit lobues.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, për “Zërin” ka thënë që nga ky lobim pret rezultate pozitive, pasi përveç liberalizimit të vizave Kosovës i duhet mbështetja edhe për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare.

“Integrimi duhet të jetë i të gjithëve në BE, pra i gjithë rajonit. Nëse kjo çështje është orientim i politikave perëndimore dhe evropiane, atëherë Kosova do ta kalojë këtë proces bashkë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Haliti.