13:24 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ja kur mund të lirohet Albin Kurti

Tre deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtit, Donika- Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiut iu është caktuar masa e paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaji pas vendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Të njëjtit janë të ngarkuar me vepër penale lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës vitin e kaluar në Parlamentin e Kosovës.

Ish-lideri i LVV-së, Albin Kurti u arrestua në oborrin e organit legjislativ, derisa deputetët po shkonin në seancë.

Gjatë këtij momenti të arrestimit, policia kishte përdorur edhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë deputetët tjerë të “Vetëvendosjes” që bënë përpjeke të kundërshtonin arrestimin.

Mirëpo, ekziston mundësia që Kurti të lirohet më herët se sa që ka masën e ndalimit. Kështu ka deklaruar avokati kosovar, Tomë Gashi.

Ai ka thënë se ligji nuk e përcakton që i dënuari të qëndrojë një muaj në paraburgim. Sipas tij, Kurti pritet të lirohet shumë shpejt.

Pastaj, Gashi shpjegon mënyrën se si masa e caktuar prej një muaji mund të ndërpritet.

“Po ato janë formale, me të cilën është caktu masa e paraburgimit për tre deputet të Lëvizjes Vetëvendosje në afat prej një muaj, por ky është afati maksimal  siç e parasheh ligji, në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ai të qëndrojë në paraburgim për një muaj, por sigurisht që kryetari i trupit gjykues sa më shpejt do ta caktojë seancën për të cilën është duke u mbajt gjykimi lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës .

“Mandej, ata do të dërgohen në shqyrtimin gjyqësorë apo kryesorë, kështu që në asnjë mënyrë dhe nuk është e paraparë me ligj që masa e paraburgimit të zgjasë për kohën të cilën është caktuar për një muaj, që i bie se shumë më shpejt do të lirohet prej paraburgimit”, ka thënë Gashi për “Indeksonline”.

Tutje, ai ka shtuar se për këtë rast nuk ka “në duar” asgjë lideri i VV-së. Sipas, Gashit, sa më shpejt duhet të mbahet seanca gjyqësore.

“Kjo nuk mvaret prej tij asgjë, por m’varet prej gjykatës, ajo duhet të caktojë gjykimin sa më shpejt që është  e mundur dhe momentin që vendoset për gjykatë atëherë masa e paraburgimit mund të ndërprehet”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore të mërkurën kishte lëshuar urdhër-arrest për këta deputet për shkak të mosparaqitjes së tyre në një seancë gjyqësore lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend vitin e kaluar./Indeksonline/A.Beka/