17:05 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ja kur publikohen gjetjet e komisionit për demarkacionin me Malin e Zi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dje mori pjesë në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur në Bruksel.

Në media gjatë ditës së djeshme u raportua për tensione në këtë takim, pas kërkesës së Haradinajt për përfshirje të SHBA-ve në dialogun me Serbinë, e për cka Mogherini u nervozua dhe lëshoi takimin, shkruan Indeksonline.

Sot zyra e kryeministrit ka dërguar fjalimin e plotë të shefit të ekzekutivit, të thënë dje në takim.

Aty kryeministri ka treguar se komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të publikoj gjetjet e tij në fund të këtij muaji.

Ja cka thotë Haradinaj për demarkacionin:

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:

• Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;
• Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;
• Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;
• E përgatitëm shoqërinë;

Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji.
Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.

Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet. /Indeksonline/