75 Mall Live Search
16:21 / E Martë, 12 Janar 2021 / Blerim

Ja reagimi i shefit të kabinetit të Vjosa Osmanit, pasi Haradinaj e quajti presidente të dobët

Pas deklaratës së sotme të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, se Vuçiq ndihet i fortë, sepse kemi një president të dobët në detyrë, ka reaguar shefi i kabinetit të presidentes Osmani, Faton Peci.

“E kuptoj mendësinë e gjykimit tënd. Si një njeri me sfond prej ushtaraku, edhe politikën e kupton nga prizmi i fuqisë fizike. Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësie politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar. Kjo, ngase po të ishte kështu do të ishe ende kryeministër, por jo shef i një partie të vogël opozitare, që lufton për mbijetesë”,  ka thënë Peci në një reagim në Facebook.

Ai ka thënë se qasja e Haradinajt, ndaj zonjës Osmani lidhjet jo me përfaqësimin e vendit në relacion me Serbinë, por dëshirën e tij për t`u ulur në karrigen e presidentit të vendit.

“Boll ma! Prej 20-vjetësh keni bërë shumë salto politike, duke ia rrënuar kredibilitetin ndërkombëtar Kosovës, si asnjëherë më parë. Sot, dhimbja jote nuk ka të bëjë me Kosovën, por me vetveten. Prit në të gjelbrën, ka radhë! Kësaj here, edhe pse ushtruese detyre, Vjosa Osmani dëshmoi se jo vetëm që mundet më mirë, por edhe e ka hak të jetë në krye të vendit për një përfaqësim të denjë dhe me guximin për t`i thënë gjërat troç, ngase nuk e ka bishtin e zënë me derë, sikurse shumica e politikanëve të brezit të vjetër.”, ka thënë tutje Peci.

Peci ka thënë se është nder për Kosovën ta ketë një presidente si Vjosa Osmani. Me guximin dhe vizionin politik, ajo po e dëshmon dhe do ta dëshmojë se është presidente e fuqishme politikisht (jo me muskuj) dhe se me Serbinë është koha e përballjes në tavolinë. 

“Vjosa këtë e ka dëshmuar me aktivitetin politik. Siç e dini edhe ju, është pikërisht Vjosa që një betejë me Serbinë e ka fituar ende pa qenë presidente. Ajo ishte pjesë e ekipit që përfaqësoi Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Peci.

Në fund ai ka thënë se është vetëm një dëshmi se Vjosa është më e fortë, më e fuqishme dhe më e shkathtë politikisht, deri në fitoren e radhës, mirupafshim.