08:28 / E Enjte, 27 Gusht 2020 / indeksADMonline

Ja sa biznese janë mbyllur gjatë muajit korrik në Shqipëri

Afërdita ish edukatore kopshti, prej 2 vitesh tregtonte veshje për fëmijë në zonën e Freskut, por për shkak të mungesës të punës dhe rënies të xhiros u detyrua të mbyllte dyqanin. Pamundësia për të paguar qiranë prej 30 mijë lekësh në muaj dhe krijimit të stokut nga mallrat e pashitur të sezonit të dimrit dhe pranverës në muajt e karantinës e vështirësuan më shumë situatën financiare të biznesit të saj.

“Në muajt e karantinës puna u pezullua, nuk pati asnjë xhiro. Pas hapjes të aktivitetit në muajin maj edhe pse mallrat u shitën nën kostot e blerjes xhiroja ishte e ulët. Për të paguar qiranë po përdorja paratë që më dërgonte vajza nga emigracioni, pasi xhiroja ditore nga shitjet ishte më pak se 2 mijë lekë në ditë. Më shumë shiteshin aksesoret me çmime të ulëta, si çorape, kanotierë apo kapele për fëmijë. Në muajin gusht nuk kisha më asnjë mundësi financiare për të paguar qiranë dhe lashë peng raftet dhe disa orendi të vogla të dyqanit. Këto janë arsyet që më detyruan të mbyll biznesin”, tregon ajo.

Të dhënat e tatimeve për bizneset që kalojnë në statusin pasiv, të përpunuara nga Monitor tregojnë se në muajin korrik 860 subjekte kaluar në status pasiv, nga 623 në korrik të një viti më parë, me një rritje prej gati 40%.

Mesatarisht 28 subjekte kanë ulur qepenat në ditë gjatë korrikut. Arsyet janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre lidhen me situatën e krijuar pas pandemisë, teksa njerëzit po reduktojnë shpenzimet për produkte dhe shërbime jo të domosdoshme.

Besi administronte një lokal afër Stadiumit Dinamo. Ai shërbente në hapësirën brenda, por kishte disa tavolina edhe jashtë. Pas rifillimit të aktivitetit, xhiro ditore ra ndjeshëm për shkak të përdorimit vetëm të një pjese të tavolinave dhe hezitimit të njerëzve për t’u ulur në lokal. Ai vendosi që ta mbyllë fare atë. Tashmë hapësira që ai shfrytëzonte jepet me qira.

Pak më tutje, një tjetër agjenci turistike ka mbyllur dyert, pasi askush nuk po pret më bileta. Ambienti jepet sërish me qira.

Tabela “jepet me qira” po shihet tashmë rëndom në shumë rrugë të kryeqytetit, çka po çon në një ulje të qirave. Agjencitë imobilare në vend pohojnë se pas karantinës, numri i dyqaneve të mbyllura u rrit, ndërsa zgjatja e pandemisë përtej parashikimeve, që ka frenuar konsumin, ishte goditja e dytë pas karantinës dymujore. Kjo situatë ka ndikuar në uljen deri në 16% të qirave të dyqaneve. Agjencitë imobilare thonë se ka pasur ulje deri në 10% edhe në disa nga rrugët kryesore të Tiranës.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në total, pa përfshirë bujqësinë, numri i subjekteve në vend ishte 116.6 mijë në vitin 2019. Pjesa më e madhe e tyre janë të vogla, me 1-4 punonjës dhe operojnë në fushën e tregtisë.

Gjithsej në fund të 2019-s, në vend kishte 99 mijë biznese me 1-4 punonjës, duke përbërë 85% të totalit të ndërmarrjeve jo bujqësore në vend.

38% e subjekteve në vend, ose rreth 44 mijë, janë në fushën e tregtisë, duke qenë direkt të prekur nga kriza e konsumit. 26% janë në fushën e shërbimeve, edhe ky një segment i goditur.

Numri i bareve, restoranteve e njësive të akomodimit është rreth 18.4 mijë, ose 16% e bizneseve gjithsej në vend.

Tkurrja  e numrit të bizneseve, sidomos atyre të vogla kishte nisur që në 2019-n. Në raport me një vit më parë janë mbyllur neto rreth 4 mijë biznese, me një rënie prej 2.5%.

Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se kjo rënie ka ardhur tërësisht nga falimentimi i subjekteve të vogla më 1-4 punonjës. 4,300 biznese të vogla u mbyllën në 2019-n, me një tkurrje prej 4.1% me bazë vjetore./monitor