15:23 / E Mërkurë, 10 Gusht 2022 / k.v

​Ja si duan të ndihmohen qytetarët në Gjermani në luftën kundër inflacionit

Ministria e Financave e Gjermanisë planifikon të rrisë pragun e tatimit mbi të ardhurat dhe të rrisë lehtësisht përfitimet e fëmijëve në përgjigje të normës më të lartë të inflacionit në vend në dekada, njoftuan zyrtarët qeveritarë.

Shuma e të ardhurave pa taksa duhet të rritet në 10.632 euro duke filluar nga viti i ardhshëm, dhe më pas në 10.932 euro në vitin 2024, nga 10.347 euro aktuale.

Më tej, duhet të rritet kufiri i të ardhurave në të cilin aplikohet norma më e lartë tatimore, kështu që nga viti i ardhshëm të ardhurat vjetore prej 61.972 eurosh do të taksohen me shkallën më të lartë dhe në vitin 2024 do të jenë 63.515 euro. Norma më e lartë aktuale e ardhurat vjetore prej 58.597 euro e lart.

Zyrtarët njoftojnë gjithashtu se shtesa e fëmijëve për dy fëmijët e parë do të rritet me 8 euro, në 227 euro në muaj në vitin 2023.

Si rezultat i ndryshimeve të planifikuara tatimore, të ardhurat tatimore do të ulen me 10.12 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe me 17.5 miliardë në vitin 2024.

Këto plane të ministrit gjerman të Financave, Christian Lindner, i partisë Demokratët e Lirë pro-biznesit, synojnë të ofrojnë lehtësim për familjet pasi inflacioni arriti në 8.5 për qind në korrik, i nxitur nga një rritje në çmimet e ushqimeve dhe energjisë.

Megjithatë, politikanët e koalicionit nga Partia e Gjelbër, si dhe partia e majtë Linka, i sulmuan menjëherë këto plane, duke pohuar se nga ato përfitojnë më së shumti të pasurit.

“Masat e lehtësimit të taksave me vlerë miliarda euro, nga të cilat fituesit më të lartë përfitojnë tre herë më shumë se ata me të ardhura të ulëta – kjo nuk është në përputhje me momentin,” tha zëdhënësja për çështje financiare të të Gjelbërve për grupin e lajmeve RND.

Shoqata ombrellë gjermane për përkujdesje sociale, nga ana tjetër, bëri të ditur se përfitimi i fëmijëve duhet të rritet së paku 10 për qind ose 22 euro.

“Ata që duan vërtet të ndihmojnë familjet, nuk duhet të argëtohen me kikirikë!”, tha shoqata.