10:03 / E Premte, 24 Nëntor 2017 / k.v

Ja si ndodhi vrasja dhe plagosja në Prishtinë, detaje nga vendi i ngjarjes (Foto)

Kanë dalë detaje të reja në lidhje me vrasjen e Nehat Sahitit dhe plagosjen e Rijada Currit që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në kryeqytet.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë treguar se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 02 e 20 minuta në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë.

Policia fillimisht kishte pranuar informacionin për një plagosje dhe në momentin e daljes në vendin e ngjarjes kishte gjetur tri gëzhoja që i përkasin armës së shkurtër.

Krimi kishte ndodhur kur nga një veturë që dyshohet të jetë “Ford” ose “Fiat” ngjyrë e kuqe është shtënë me armë në drejtim të katër kalimtarëve.

Sipas informacioneve që ka siguruar Indeksonline brenda policisë, mësohet se në veturën e dyshuar, targat e së cilës nuk i dihen, kanë qenë tre ose katër persona të dyshuar ku njëri prej tyre kishte shtënë me armë në drejtim të viktimave.

Fillimisht nga këto të shtëna të lënduar kishin mbetur dy persona, ku i plagosuri Nehat Sahiti si pasojë e plagëve të marra rreth një orë pasi ishte plagosur ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kurse e lënduara Rijada Curri ka marrë gërvishtje në shuplaken e dorës se majtë dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Indeksonline ka siguruar edhe emrin e personit tashmë të identifikuar i cili është në kërkim, një 20-vjeçar, por për shkaqe të hetimeve emrin e tij nuk e publikon.

Të gjitha njësitet përkatëse të policisë së Kosovës dhe prokurori i shtetit i janë përgjigjur rastit dhe janë duke u marrë me hetimin e këtij rasti./Indeksonline/