09:34 / E Diele, 17 Mars 2019 / indeksADMonline

Ja si të dobësoni barkun pas lindjes

Lindja e një fëmije është një përvojë tepër e çmuar në jetën e një gruaje, por pas lindjes, barku mbetet i fryrë dhe i varur!

Pavarësisht gëzimit për ardhjen e re, pranimi i këtyre karakteristikave mund të jetë tepër i vështirë. Nuk është absolutisht rasti që të dëshpëroheni, përderisa trupi i femrës është natyralisht i predispozuar për ndryshim, ku në pak kohë ai mund të kthehet si më parë, sigurisht nëse do të merrni “masat” e duhura!

Pra, dobësimi i barkut pas lindjes është absolutisht i mundur, por është e nevojshme të keni qetësinë e duhur për të përballuar “rivënien në formë” pa u stresuar ose më keq akoma pa “vrapuar” në dieta drastike, sidomos nëse e ushqeni fëmijën me gji. Ndjekja e një diete dhe e një mënyre jetese të shëndetshme është padyshim hapi i parë.

E rëndësishme është që organizmin ta furnizoni me sasinë e duhur të kalorive, përderisa në këtë fazë të jetës do të keni nevojë për shumë energji, për impenjimet e reja. Para së gjithash duhet të hani shumë fruta dhe perime, kjo për të larguar edhe ndjesinë e urisë.

Këta përbërës në fakt e mbushin dhe në të njëjtën kohë e pastrojnë shumë mirë organizmin tuaj, duke limituar mbajtjen e ujit dhe për rrjedhojë edhe efektin e “lëvozhgës së portokallit” nëpër lëkurë, pra celulitin. Shmangni gjërat e skuqura dhe ushqimet me shumë yndyrë.

Përpiquni të vendosni një lloj rregullsie mbi oraret që do të konsumoni vaktet. Gjithsesi, mos e privoni veten nga ushqimet që ju pëlqejnë, sepse në këtë periudhë të jetës suaj, përveç mirëqenies fizike, edhe ajo psikologjike është shumë e rëndësishme. Ndaj mundohuni që të veproni shkallë-shkallë dhe të sforcoheni për të mbajtur një lloj ekuilibri. Shumë e rëndësishme për të dobësuar barkun pas lindjes është që të rigjeni formën e duhur fizike, por edhe ushtrimet e duhura fizike.

Mund të filloni me shëtitjet e gjata dhe të lehta në ajër të pastër, ndoshta duke shtyrë karrocën me të voglin apo të voglën tuaj dhe dalëngadalë të rrisni shpejtësinë e hapave. Në fakt, ecja është një nga ushtrimet më të mira për të qenë sërish në formë. Më pas mjeku do t’ju thotë se kur mund të kaloni në një trajtim të vërtetë, nëse nuk do të keni probleme të veçanta pas një apo dy muajsh nga lindja, kohë edhe kur i keni marrë të gjitha forcat.

Mund të filloni me pak jogging, gjithmonë në mënyrë graduale. Të endesh poshtë e lart me foshnjë duke kryer punët e shtëpisë është ushtrim në vetvete, por përsëri ju duhet të bëni edhe ca ushtrime me pesha. Përdorni pesha të lehta, por para se të filloni me ndonjë program, konsultohuni patjetër me mjekun që të merrni aprovimin e tij, veçanërisht nëse keni bërë lindje çezariane.

Flini gjumë

Ndoshta mund të duket e pamundur të arrini të bëni 8 orë gjumë kur keni fëmijën nën kujdes, i cili ju zgjon herë pas here gjatë gjithë natës. Por mosfjetja mjaftueshëm, mund t’jua vështirësojë humbjen e peshës pas lindjes.

Në një studim, nënat e reja që bënin pesë orë gjumë apo më pak të tilla në ditë kishin më shumë gjasa të mbeteshin po me atë peshë ekstra të fituar gjatë shtatzënisë sesa ato që bënin 7 orë gjumë apo më shumë orë gjumë në ditë. Kur jeni të lodhura, trupi juaj çliron kortizol dhe hormone të tjera stresi, të cilat mund t’ju shtyjnë të shtoni peshë.