75 Mall Live Search
16:01 / E Hënë, 15 Maj 2023 / S Z

Jahjaga e brengosur për largimin e profesionistëve shëndetësor: Në secilin spital takon mjek dhe infermierë që janë në pritje për të ikur nga Kosova

Kryetarja e Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë Nexhmije Gori ka takuar  sot ish presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

Kryetarja Gori e ka njoftuar ish presidenten Jahjaga me procesin e konsolidimit të organeve të OIK pas një procesi të rregullt zgjedhor.

Tashmë me organe të konsoliduara, OIK sipas kryetares Gori, jep mundësi për bashkëpunim me institucione dhe organizata të ndryshme.

Kryetarja e OIK, Nexhmije Gori ka shprehur gatishmërinë e saj që të gjinden forma për të motivuar infermierët për të mos braktisur vendin si dhe për t’i bërë ata të ndjehen të vlerësuar në vendin e tyre.

Ish presidentja Jahjaga ka thënë se largimi i infermierëve mbetet një brengë e veçantë për shoqërinë.

“Secili spital që e viziton e takon një infermiere apo mjek që të tregon që është në pritje të rregullimit të dokumentacionit, për të ikur për një jetë dhe kushte më të mira”, ka thënë ish presidentja.

Jahjaga ka shtuar se në anën tjetër janë edhe kërkesat e mëdha të pacientëve dhe shërbimet e shumëta që marrin nga stafi shëndetësor por vazhdon të mungojë vlerësimi dhe falëmnderimi për ofruesit e këtyre shërbimeve.

Ish presidentja Jahjaga është shprehur e gatshme të bashkëpunojë në çdo formë, për të mbështetur infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë që ata të ndjehen të vlerësuar dhe të shohin Kosovën si vend të mundësive./IndeksOnline/